Më 29 shtator 2023, Marsela dhe Aldi përcollën perspektivat e të rinjve shqiptarë në forumin më të madh të diplomacisë globale, duke përmbledhur idetë e grumbulluara gjatë një turi të gjerë konsultimi ku përfshiheshin qindra të rinj nga e gjithë Shqipëria. Fjalimin e tyre në Komitetin e Tretë të Kombeve të Bashkuara, mbi çështjet sociale, humanitare dhe të të drejtave të njeriut, mund ta gjeni më poshtë:
I nderuar Kryetar,
Shkëlqesi të nderuara,
Miq delegatë,
Teksa ndodhemi në gjysmë të rrugës së Agjendës 2030, jemi ende larg arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Te jesh një i ri që jeton në Greqië në vitin 2023, mund të nënkuptojë se shtëpia jote mund të jetë shkatërruar nga zjarret. Apo në Libi dhe Haiti, përmbytjet masive mund të jenë tragjike. Në Marok, ju mund të jeni një nga 100 000 fëmijët e prekur nga tërmeti katastrofik.
Të gjithë të lartpërmendurit, janë vetëm disa prej shembujve që demonstrojnë atë që aktivistët e rinj po përsërisin prej kohësh: se ky nuk është vetëm ndryshim klimatik, por është një krizë klimatike. Një krizë urgjente për të cilën lipset veprim i menjëhershëm dhe vendimmarrje mes brezash. Ndaj dhe Shqipëria ka vendosur të përmirësojë përfshirjen dhe pjesëmarrjen e të rinjve në negociatat për ndryshimet klimatike, dhe inkurajon të gjitha vendet anëtare që t’i japin më shumë zë brezit të të rinjve.
Fatkeqësisht, veprimtaria klimatike nuk është i vetmi synim i zhvillimit të qëndrueshëm në të cilin po çalojmë. Edhe pse OZHQ 3 (Objektiv i Zhvillimit të Qëndrueshëm) synon të “sigurojë jetë të shëndetshme dhe të promovojë mirëqenien për të gjithë, të të gjitha moshave”, një nga pasojat e pandemisë Covid-19, ka qenë vendosja në qendër të vëmendjes e çështjeve të shëndetit mendor. Shqipëria po punon për të reduktuar stigmën rreth shëndetit mendor dhe për të siguruar që ata në nevojë, të mund të kërkojnë ndihmë pa frikë apo gjykim.
Në këtë drejtim, Shqipëria ka miratuar së fundmi një Plan Veprimi Kombëtar për Shëndetin Mendor, me objektiva të qarta për mirëqenien e fëmijëve, dhe të rinjve. Kjo strategji nënvizon rritjen e nismave kushtuar kësaj çështjeje, krahas përforcimit të burimeve dhe kapaciteteve për zbulimin e hershëm të problemeve të shëndetit mendor.
Mirëqenia mendore e të rinjve nuk është thelbësore vetëm për zhvillimin dhe përmbushjen e tyre personale, por edhe për përparimin e shoqërive tona dhe komunitetit botëror. Duke punuar së bashku me të rinjtë për të përmirësuar shërbimin e shëndetit mendor, mund të krijojmë një botë ku fëmijët dhe të rinjtë të ndihen më të sigurt dhe më të shëndetshëm.
I nderuar Kryetar,
Ndër sfidat e shumta me të cilat po përballemi, çështja e migrimit masiv të të rinjve është më emergjentja. Migrimi dinamik nga Ballkani Perëndimor konsiderohet si një mundësi për të fituar njohuri dhe aftësi të vlefshme, dhe për të mbështetur më tej zhvillimin e përgjithshëm të rajonit.
Nga ana tjetër, humbja e kapitalit njerëzor mund të pengojë zhvillimin e qëndrueshëm. Për të lehtësuar këtë, Shqipëria po nxit një mjedis mundësish për sipërmarrjen dhe novacionin.
Për herë të parë në Shqipëri, të rinjtë mund të përfitojnë nga Strategjia Kombëtare për Rininë 2022-2029, e cila është hartuar gjithashtu me mbështetjen e UNICEF-it dhe ofron një mundësi për: orientimin në karrierë dhe mirëqenie të përgjithshme për të rinjtë, duke u përqedruar
veçanërisht tek ata në nevojë. Ne po ecim përpara në mbështetjen e fëmijëve dhe të rinjve duke ofruar ndihmë për nismat dhe zhvillimin teknologjik, si dhe duke krijuar programe kodimi për fëmijët që nga shkollat fillore.
Duhet të pranojmë se migrimi, ndonëse shpesh një zgjedhje personale, mund të nxitet nga faktorë sistemikë si: mungesa e mundësive, konflikti dhe presionet mjedisore. Shqipëria është e përkushtuar në pikasjen dhe zgjidhjen e shkaqeve rrënjësore të migrimit, dhe ne besojmë me vendosmëri, se një strategji e suksesshme është ajo që investon në rininë tonë, duke kapërcyer hendekun mes të mësuarit dhe të fituarit. Në përputhje me këtë vizion, Shqipëria po zbaton Programin e Garancisë për Rininë: një model që synon të mbështesë të rinjtë që nuk janë në arsim, punësim apo trajnim, duke ulur kështu numrin e papunësisë dhe duke krijuar si pasojë mundësi të reja.
Miq delegatë,
Teksa na kanë mbetur vetëm 7 vjet në arritjen e Agjendës 2030, është thelbësore të kujtojmë se fëmijët dhe të rinjtë, duhet të kenë një rol parësor në sigurimin e paqes së qëndrueshme.
Sipas World Vision, mbi 7.5 milionë fëmijë në Ukrainë janë zhvendosur që nga Shkurti i vitit 2022, dhe shumica e tyre vuajnë nga mungesa e të drejtave njerëzore. Le të sjellim në vëmendje se Konventa për të Drejtat e Fëmijëve, është një detyrim që kërkon respekt dhe angazhim nga të gjitha kombet, për të siguruar një të ardhme më të ndritshme dhe më të drejtë për brezin tonë të ri.
Ne besojmë me vendosmëri se të drejtat e njeriut janë universale, të pandashme dhe të qenësishme për çdo person. Në përputhje me këtë besim themelor, Shqipëria paraqiti kandidaturën e saj për Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut 2024-2026, dhe do t’i kushtojë vëmendje të veçantë të drejtave të grave, dhe të drejtave të fëmijëve.
Ndërkohë që përballemi me vështirësi klimatike, po punojmë për të përmirësuar mirëqenien e shoqërive tona; për të balancuar lëvizshmërinë; për të zgjidhur konfliktet dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut, le të qëndrojmë të bashkuar në fuqizimin e rinisë sonë dhe në drejtimin e rrjedhës së historisë drejt një të ardhmeje premtuese dhe me mirëqenie. Le të njohim zërat e të rinjve, dhe le t’i vendosim ata në qendër të qëllimeve tona globale.
Ju falënderojmë për vëmendjen tuaj